|
Pyetje: A duhet te kendohet suretu Fatiha ne vete gjat namazit kur Imami kendon me ze?
Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i dashur, sa i përket leximit të Fatihasë kur njeriu falet me imam, dijetarët janë ndarë në tri mendime:
1-Disa prej dijetarëve janë të mendimit se njeriu kur falet me imam, nuk ka nevojë të lexojë fare qoftë Fatihanë apo ndonjë sure tjetër, por ai duhet të qëndrojë në heshtje, ngase leximi i imamit mjafton edhe për xhematin. Dhe ky mendim është mendimi i Imam Ebu Hanifes dhe i Imam Ahmedit në një transmetim, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit (salallahualejhiveselem) i cili thotë: “Kush falet me imam, leximi i imamit mjafton edhe për të”. (Transmeton Imam Ahmedi dhe Ibn Maxheh) Porse ky hadith është mursel, e hadithi mursel është prej llojeve të hadithit të dobët, kështuqë nuk mund të merret për argument. Thotë Imam Buhariu: Ky transmetim nuk është i vërtetë te dijetarët, për shkak të këputjes që ekziston në zinxhirin e tij.
2-Mendimi tjetër i dijetarëve është se leximi i Fatihasë duhet të bëhet atëherë kur imami lexon pa zë, ndërsa kur imami lexon me zë xhemati duhet të dëgjojë leximin e tij. Dhe ky është mendimi i imam Malikut, i imam Ahmedit në një transmetim, dhe i shumë dijetarëve të tjerë, duke u bazuar në disa argumente. Prej tyre:
Thotë Allahu (azzevexhel): “Kur të lexohet Kur’ani, ju dëgjonie atë dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë”. (A’raf – 204)
Thotë Ebu Hurejrah (radijallahuanhu): (Pasi Pejgamberi (salallahualejhi veselem) i ndaloi sahabët të lexojnë pas imamit) U ndaluan njerëzit së lexuari, në namazet që Pejgamberi (salallahualejhi veselem) lexonte me zë. (Transmeton Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu i cili thotë: Hadithi është i mirë). Kështuqë ky është argument se leximi i Fatihasë pas imamit që lexon me zë, është mensuh - i deroguar (Që nënkupton se një kohë është lexuar, por më vonë është ndaluar leximi i tij).
Thotë Shejh Albani (rahimehullah): Është deroguar leximi pas imamit në namazet me zë (Duke u bazuar në transmetimin e Ebu Hurejrës). (Mënyra e namazit të Pejgamberit (salallahualejhiveselem) 1/98)
E disa dijetarë kanë thënë: Nëse duhet xhemati të lexojë pas imamit që lexon me zë, atëherë nënkupton që leximi i imamit është i kotë dhe i pa kuptim, nëse ai nuk zëvendëson leximin e tyre.
3-Dhe mendimi i tretë i dijetarëve është se sureja Fatiha duhet të lexohet çdo herë, pa marrë parasyshë nëse imami lexon me zë apo pa zë, dhe nëse nuk lexohet Fatihaja, namazi i tillë nuk pranohet. Dhe ky është mendimi i Imam Shafiut, Is’hak ibn Rahavejt, Imam Buhariut, Ibn Hazmit dhe disa dijetarëve të tjerë, duke u bazuar në disa argumente. Prej tyre:
Thotë Pejgamberi (salallahualejhiveselem): “Nuk ka namaz, për atë që nuk e lexon suren Fatiha”. (Buhariu dhe Muslimi) Fjala namaz në hadith ka ardhur në trajtën e pashquar, që nënkupton përfshirjen e të gjitha namazeve, qofshin ato me zë apo pa zë.
Thotë Ubadeh ibn Samit (radijallahuanhu): “Kemi qenë pas Pejgamberit (salallahualejhi veselem) në namazin e sabahut, dhe lexoi Pejgamberi (salallahualejhi veselem) e iu rëndua leximi (u pengua gjatë leximit), e pasi e përfundoi tha: Ndoshta ju lexoni pas imamit tuaj? Thamë: Po, o i Dërguar i Allahut. Tha: Mos veproni ashtu (mos lexoni) përveç Fatihatul-Kitab (Sures Fatiha) se nuk ka namaz ai që nuk e lexon atë”. (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu i cili e cilëson hadithin si të mirë, dhe Shejh Ibn Bazi thotë se hadithi është i vërtetë, ndërsa Shejhul Islami thotë se hadithi është i dobët).
Thotë Shejh Ibn Bazi (rahimehullah): Nuk lejohet që xhemati të lexon pas imamit në namazet me zë, përveç sures Fatiha. (Fetava Ibn Baz 11/234)
Thotë Shejh Shenkitij (rahimehullah): Ajo që është më e saktë sipas mendimit tim -e dituria i takon Allahut- është mendimi se leximi i Fatihasë është obligim për xhematin, qoftë ai në namazet me zë apo pa zë. Dhe argumenti për saktësinë e këtij mendimi është se Pejgamberi (salallahualejhiveselem) urdhëroi që të lexohet Fatihaja nga të gjithë, dhe nuk bëri përjashtim për ndonjë namaz apo namazli, kështuqë esenca mbetet: Obligueshmëria e leximit të Fatihasë.
Ndërsa sa i përket ajetit me të cilin janë argumentuar dijetarët e mendimit të dytë, se: “Kur të lexohet Kur’ani, ju dëgjonie atë dhe heshtni..”, thotë Shejh Ibn Uthejmini (rahimehullah: Ato janë argumente të përgjithshme, ndërsa urdhëri për leximin e Fatihasë është i posaçëm, kështuqë përparësi i jepet argumentit që është i posaçëm ndaj atij që është i përgjithshëm. (Sherhul Mumti’ 3/302)
Ndërsa sa i përket fjalës së Ebu Hurejrës (radijallahuanhu): U ndaluan njerëzit së lexuari, në namazet që Pejgamberi (salallahualejhiveselem) lexonte me zë, dijetarët e këtij mendimi thonë:
Së pari, dijetarët janë në mospajtime nëse kjo thënie është e Ebu Hurejrës, apo e Imam Zuhriut, dhe shumë prej tyre kanë thënë se kjo thënie nuk është e Ebu Hurejrës, por ky transmetim është mudrixh (këto fjalë janë të shtuara nga Imam Zuhriu), sikur që transmeton Imam Ahmedi (2/240) dhe të tjerët. Dhe këtë e thotë Imam Buhariu në Tarihun e tij, Imam Ebu Davudi, Jakub ibn Jusufi, Hatabiu dhe të tjerë. E imam Neveviu thotë: Për këtë nuk ka mospajtime në mesin e tyre. Gjithashtu ka mospajtime nëse mesin e dijetarëve se ky transmetim arrin shkallën e zinxhirit të mirë, apo është transmetim i dobët.
Thotë Shejh Shenkitij: Kjo çështje ka nevojë që t’i hidhet një shikim, ngase vetë Ebu Hurejra është ai që ka urdhëruar për leximin e saj (sures Fatiha), dhe këtë (thënie të tij) e ka transmetuar Imam Bejhekiu në pjesën: “Leximi pas imamit” me zinxhirë të vërtetë, ndërsa ku është vërtetuar thënia e tij për ndalimin e leximit të sures Fatiha?!... Pastaj Ebu Hurejra është vetë ai që i ka urdhëruar njerëzit të lexojnë suren Fatiha, e është e palogjikshme që ai të ketë transmetuar se njerëzit janë ndaluar prej leximit, përveç nëse qëllimi i tij është për suret tjera shtesë pos Fatihasë. (Sherh Zadul Mustekni’ – Erkanu Salah/2)
Andaj, edhe sikur të themi se kjo thënie është e Ebu Hurejrës, dhe të pranojmë se transmetimi është i vërtetë, themi se thënia e Ebu Hurejrës është thënie e përgjithshme, ndërsa rregulli i Usuli Fikhut thotë: Nëse kundërshtohet argumenti i përgjithshëm me argumentin e posaçëm, i jepet përparësi argumentit të posaçëm.
Së dyti, për të thënë se njëri argument e ka deroguar tjetrin duhet patjetër të ketë për këtë argumente të sigurta, ngase derogimi nuk bëhet me hamendje apo me krahasime. Thotë Shejh Kemal bin Sejid Salim: E sa i përket atyre që kanë thënë se hadithi i Ebu Hurejrës e derogon hadithin e urdhërit për leximin e Fatihasë, dije se Hazimiu (në I’tibar 72/75) e thotë të kundërtën, dhe argumentohet se urdhëri për leximin e Fatihasë e derogon ndalimin e leximit pas imamit. E e vërteta është se nuk ka argument për njërën apo tjetrën, andaj duhet kthyer në rregullin e bashkimit të argumenteve dhe nxjerrjen e mendimit më të saktë prej tyre.
Dhe për thënien e disa dijetarëve se: Nëse imami lexon me zë, dhe xhemati obligohet të lexon pas tij, atëherë leximi i imamit është pa kuptim, Shejh Ibn Uthejmini thotë: Ky është krahasim në kundërshtim me argumentin, e krahasimi i cili vjen në kundërshtim me argumentin është krahasim i papranuar. (Që nënkupton se kur të vjen argumenti i qartë, si hadithi: Nuk ka namaz pa Fatiha, atëherë nuk lejohet të bëhen krahasime, apo të futet logjika për të kundërshtuar argumentin).
Kështuqë përfundimisht anojmë kah mendimi i fundit, se leximi i Fatihasë është obligim për çdo namaz, qoftë ai nafile apo farz, me imam apo i vetëm, në namazet me zë apo pa zë.
Ndërsa sa i përket kohës se kur duhet të lexohet ajo, Shejh Ibn Uthejmini thotë se leximi i saj bëhet pasi të përfundon imami me të, dhe të fillon suren pas saj. Kështuqë xhemati së pari dëgjon leximin e Fatihasë nga imami, dhe pasi të përfundon ai, e lexojnë atë edhe xhemati, e pastaj dëgjojnë leximin e imamit në vazhdim.
Allahu e di më së miri.
Omer Bajrami
26.11.2010
 |