|
Imani shtohet dhe pakësohet. Shtohet me nënshtrim ndaj All-llahut dhe vepra të mira, dhe pakësohet e dobësohet me vepra të liga. Këtë e argumentojnë shumë ajete dhe hadithe. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: "E besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur permendet All-llahu u rrenqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet Imani (besimi) dhe që janë të mbeshtetur vetëm të Zoti i tyre." [Enfal, 2]
Si dhe ajeti: "E All-llahu ua shton besimin atyre qe u udhëzuan, e veprat e tyre të perjetëshme janë shpërblimi më i dobishëm të Zoti yt dhe përfundim më i mirë." [Merjem, 76] Në ajetin tjetër All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: "Ai është që në zemrat e besimtarëve dhuroi qetësinë për ta shtuar bindjen në besimin e vet qe kishin. Ushtritë e qiejve dhe të tokës janë vetëm të All-llahut, e All-llahu është shumë i Dijshëm dhe shumë Preciz." [Fet'h, 4] All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: "Kurse ata që gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre u shton edhe më udhëzimin në rrugën e drejtë, dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të matur." [Muhammed, 17] Dhe nga Ebu Seid El-Hudrij [radijallahu anhu] transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: “Kush nga ju sheh një të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij, e nëse nuk mundet ta bëjë, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet ta bëjë këtë, atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët”. [Muslimi] Si dhe në hadithin tjetër ku thotë: "Prej besimtarëve me iman më të plotë janë ata që kanë moral më të lartë." [Muttefekun alejhi]
Fjalet e dijetareve te Ehli Sunnetit se imani shtohet dhe pakesohet Nga Ebu Derda [radijallahu anhu] transmetohet se ka thënë: "Imani shtohet dhe pakësohet." [Sunen ibn Maxheh] Dhe nga Ebu Hurejrah [radijallahu anhu] transmetohet se ka thënë: "Imani shtohet dhe pakësohet." [Essunneh li Abdil-lah] Si dhe nga ibën Abbasi [radijallahu anhu] se ka thënë: "Imani shtohet dhe pakësohet." [Sunen ibn Maxheh] Dhe prej Tabi'ineve transmetohet nga Muxhahidi se ka thënë: "Imani shtohet dhe pakësohet." Shejhul-islam ibën Tejmijjeh [Allahu e mëshiroftë] thotë: "Janë pajtuar selefet se Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet." Dhe Ahmed ibën Hambeli [Allahu e mëshiroftë] ka thënë: "Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet, sikur ka ardhur na hadithin:" Prej besimtareve me iman me të plotë janë ata që kanë moral më të lartë.” [Muttefekun alejhi] Ka thene Imam Euza'ij [Allahu e mëshiroftë]: "Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet. E kush thotë se imani shtohet e nuk pakësohet, ruanu prej tij se ai është bidatçi." Dhe Sufjani [Allahu e mëshiroftë] ka thënë: "Imani është fjalë, vepër dhe qellim, shtohet dhe pakësohet. Shtohet me nenshtrim ndaj All-llahut dhe pakësohet me mëkate." Ka thënë Ebu Zur'ah dhe Ebu Hatim Er-Razij [Allahu i mëshiroftë]: "I kemi arritë dijetarët e të gjitha vendeve; të hixhazit, irakut, shamit, jemenit dhe medh-hebi i tyre ishte se imani është: fjalë dhe veper, shtohet dhe pakësohet." Dhe për fund arrijmë që të konkludojmë dhe të definojmë se: "Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet. "
Shkroi: Adil bin Muhammed bin Alij Esh-Shejhanij
Përktheu: Omer Bajrami
 |